Vendgjetja e Gjurit të Madh, ashtu siç njihet nga banorët vendas, ndodhet në lartësinë mbidetare 490 m, në krahun e djathtë të luginës së lumit Fani i Vogël. Ajo ndodhet në një kreshtë të vogël shkëmbore, në shpatin e malit në të cilën është vendosur fshati Blinisht. Formacioni gjeologjik është i karakterizuar nga shkëmbinj të Jurasikut të Sipërm.

Kjo vendgjetje, me shumë mundësi është vizituar për herë të parë nga biologu dhe paleontologu Anton Fistani në vitin 1993. Fistani nuk arriti të botojë asnjëherë këtë vendgjetje, por e përshkroi atë për herë të parë gjatë një interviste në vitin 2004. Ai na bënë të ditur se: “Tema e incizimeve mbizotëron me tri figurat antropomorfe dhe të atyre gjeometrike me shenjën e kryqit dhe të trekëndëshit, apo majës së heshtës”. Për sa i përket datimit, ai shton se: “Sipas një vlerësimi krejt paraprak, inçizimet e Blinishtit i përkasin fazës fundore të Paleolitit të sipërm dhe fillesave të Mezolitit të Hershëm”.

Nisur nga ky informacion paraprak, në kuadër të këtij projekti kjo vendgjetje u verifikua dhe u dokumentua për të dhënë një shqyrtim më të qartë të artit shkëmbor. Kështu, arti shkëmbor është i aplikuar në disa nga faqet natyrore të një kreshte të vogël shkëmbore, e cila në anën veriore të saj, me anë të një qafe të vogël lidhet me një lëndinë relativisht të madhe. Pikërisht, në krahun ku kreshta lidhet me qafën, ndodhen katër panele të cilat përmbajnë të paktën rreth 13 petroglife. Duhet thënë se natyra e sipërfaqeve të shkëmbit është jo plotësisht e lëmuar. Ajo paraqet krisje dhe është e veshur me myshk dhe likene, çka e bënë të vështirë shquarjen e ndërhyrjeve njerëzore.

Duke u nisur nga se kemi mundur të identifikojmë, figurat ndahen në dy tipe kryesorë, të cilat janë renditur sipas shpeshtësisë së paraqitjes:

  1. Figurat antropomorfe paraqiten në dy variante të përafërt: a) tre figura me krahë të hapur drejt dhe horizontalisht, këmbë të shkurtra të ndara në formë këndore dhe kokë në trajtë gropëze, dhe b) një figurë antropomorfe me krahë të hapur drejt e në mënyrë horizontale dhe kokë në trajtë gropëze.
  2. Nëntë figura në trajtë kryqi, të cilat janë përgjithësisht barabrinjëse.

Vendosja e këtyre dy kategorive kryesore të figurave, duket të ndjekë një lloj parapëlqimi për sa i përket mënyrës së shikimit apo aplikimit në panele të caktuara. Kështu, figurat njerëzore janë të vendosura në panelet 1 dhe 2, të cilët janë të dy të orientuar vertikalisht dhe në drejtim të veriut dhe veri perëndimit. Kurse pjesa dërrmuese e figurave në trajtë kryqi janë të vendosura në panelet 3 dhe 4, të cilët janë të orientuar horizontalisht. Këtu bënë dallim vetëm një figurë në trajtë kryqi, e cila është e vendosur në panelin nr. 2, i orientuar vertikalisht.

Paneli nr. 1 ndodhet në pjesën më të afërt me qafën. Ai përmban tre figura njerëzore me krahë të hapur drejt e në mënyrë horizontale, këmbë të shkurtra të ndara në formë këndore dhe kokë në trajtë gropëze. Të tre figurat janë të vendosura pothuaj në krah të njëra-tjetrës, por ajo qendrore ka përmasa dallueshëm më të mëdha. Menjëherë në krahun e djathtë të panelit 1, vendoset paneli 2, i cili krijon një kënd më të vogël se 90° me të parin. Ky panel përmban një figurë njerëzore me krahë të hapur drejt e në mënyrë horizontale dhe kokë në trajtë gropëze. Gjithashtu, një figurë në trajtë kryqi është vendosur më sipër, në këndin e majtë. 

Në vazhdim, paneli i tretë është i orientuar në mënyrë horizontale mbi panelin një dhe dy. Ai është i ndarë në dy pjesë me anë të një shkallëzimi natyror dhe përshin gjashtë figura në trajtë kryqi, të cilat organizohen në dy grupe prej tre figurash secila, pra për secilin shkallëzim. Është për t’u theksuar fakti se, dy nga kryqet të cilët ndodhen në të dy shkallëzimet dhe në periferi, pranë panelit 1, janë të orientuar në boshtin e tyre kryesor dukshëm ndryshe nga të tjerët. Ky fakt mund të jetë tregues se paneli i tretë mund të jetë realizuar të paktën nga dy pozicione të ndryshme ose nga dy duar të ndryshme apo dhe në faza të ndryshme. Paneli i katërt ndahet nga një thellim i thellë nga ai nr. 3 dhe është më i zhvendosur në drejtim të jugut. Ai përmban vetëm dy figura në trajtë kryqi dhe mund të ketë qenë më e vështirë për t’u arritur, për arsye të terrenit rënës në drejtim të jugut dhe në anë të shkëmbit.

Për sa i përket interpretimit kronologjik, një e dhënë shumë e rëndësishme e lidhur veçanërisht me figurat njerëzore të panelit nr. 1, janë paralelet pothuaj identike nga veriu i Italisë, ku ato janë të mirë datuara në intervalin kohor midis 2900-2400 para erës sonë. Por në anën tjetër, duhet vënë po ashtu në dukje se figura njerëzore shumë të skematizuara ripërdoren edhe në periudha më të vona, çka lë mundësi edhe për interpretime të tjera lidhur me datimin e tyre. Për sa i takon figurave në trajtë kryqi, ato gjejnë përdorim në periudha të ndryshme, si parahistorike por edhe historike. Nëse nuk përjashtohet edhe fakti që ato mund të jenë gdhendur në periudha të ndryshme, datimi i artit shkëmbor nëpërmjet këtyre periudhave mbetet i vështirë. Në përfundim, duhet të themi se nga verifikimi në vend, nuk u identifikuan të gjitha format e përmendura nga ana e Anton Fistanit në vitin 1993, por edhe datimi duket të jetë shumë më i vonë nga ai i sugjeruar në mënyrë paraprake nga ana e autorit.

Rudenc Ruka 

Logo

About Us

We must explain to you how all seds this mistakens idea off denouncing pleasures and praising pain was born and I will give you a completed accounts off the system and

Get Consultation

Contact Us