Rrasfik

18 Feb
Rrasfik, Mirditë Gjatë vëzhgimit sipërfaqësor të realizuar në lindje të fshatit Rrasfik të Rubikut*, në rrëzë të Malit të Shënvidhit, u identifikuan fragmente muresh banesash të ruajtura në sipërfaqen e terrenit. Nisur dhe nga fragmentet e qeramikës, tullave, tjegullave dhe fragmenteve të shumta të mureve, mendojmë se kemi të bëjmë me një kompleks banesash, të cilat, nisur nga vendndodhja e tyre me pamje nga perëndimi, dhe teknika e ndërtimit me mur guri lidhur me llaç, të kujtojnë banesat e shek. IV-VI pas Kr. të vendbanimit të Komanit, të zbuluara vitet e fundit nga ekspeditat e përbashkëta arkeologjike shqiptaro – franceze. Rrëzë malit të Shenevidhit ka qënë edhe një kishë e vjetër kushtuar Shën Bartolomeut, që nga banorët e zonës është thirrur edhe si “Kisha n’Skremë”. Në ndihmë të datimit të këtij kompleksi banesash në periudhën antike të vonë, vjen edhe prania e fragmenteve të qeramikës, si tjegullat dhe fragmentet e amforave, ku midis tyre vlen për t’u theksuar fragmenti i një fundi amfore afrikane e tipit “Spatheion” 2, varianti A, e datuar kryesisht në gjysmën e dytë të shek. V pas Kr. Amfora, duke u nisur nga morfologjia e formës, fabrika (përmbajtje grimcash ranore të bardha dhe të verdha), duhet t’i përkas punishteve të Sidi Zahruni (Nabeul). Gjetja e variantit 2A në Rrasfik kontribuon sadopak në pasurimin e hartës së kësaj amfore, një ekzemplar i cili deri më sot është identifikuar në qendrat kryesore të Antikitetit të Vonë. Ende nuk ka një përcaktim të saktë të produkteve ushqimore që kjo amforë transportonte, por mendohet se mund të jenë përdorur për transportin apo ambalazhimin e verës. Gjetja e amforave në thellësi të territorit bregdetar është një fenomen i rrallë, por duket se prania e saj aty merr kuptim, pasi territori i këtij fshati ka një klimë të përshtatshme për kultivimin e varieteteve të ndryshme të rrushit dhe të nënprodukteve të tij, në rastin tonë, verës; gjithashtu fshati ndodhet në rrugëkalimin që lidh qytetin antik të Lissus me luginën e lumit Fan. Nga vëzhgimi sipërfaqësor në fshatin Rrasfik, u identifikua edhe një varrezë e periudhës së Antikitetit të Vonë, e cila ndodhet poshtë banesave të përshkruara më sipër, më në jug-perëndim të tyre, rreth 250 m larg. Vendosja e varrezës në këtë kontekst kohor, bëhet mjaft e lehtë pasi në sipërfaqe u identifikua prania e fragmenteve të shumta të tjegullave në formë sqep zogu, tipike të periudhës antike të vonë. Në hapësirën e varrezave, identifikohen lehtësisht edhe faqet e varreve të ndërtuar me rrasa guri shtufor. Gjurmë të shumta varresh në një zonë të gjerë, janë zbuluar edhe gjatë punimeve për ndërtimin e shkollës së fshatit dhe hapjen e rrugës që lidhte shkollën me rrugën automobilistike, sipas një raporti të prof. Mark Tirtës, botuar në “Materiale të Sesionit Arkeologjik’’, 2-3, X. 1967, Tiranë 1968. Varret e zbuluara në afërsi të shkollës së fshatit, janë rreth 2 km larg varrezës së përshkruar më sipër. Sipas përshkrimit të tipologjisë së varreve në raportin e prof. Tirtës, ato i përkisnin periudhës së Antikitetit të Vonë. Në krye të hapësirës së varrezës u identifikua edhe një strukturë me planimetri katërkëndëshe, e ruajtur në lartësi deri në fillimin e harkut të qemerit i ndërtuar me gurë çmërsi. Struktura ka përmasa 4,80 x 3,49 m, me orientim lindje – perëndim. Muret kanë trashësi 0,80 m dhe janë të ndërtuar me gurë ranorë, të lidhur midis tyre me llaç gëlqeror të varfër. Struktura mund të atribuohet më shumë një varri monumental të periudhës antike të vonë, ndërsa identifikimi i saj me një kapelë është pak i dyshimtë në kushtet e mungesës së gjurmëve të absidës. Ndërmarrja e një gërmimi arkeologjik do të sqaronte përfundimisht funksionin e saj. Nga: Skënder Bushi. * Vëzhgimi sipërfaqësor u realizua me Julian Vlashi, Eugert Vlashi, Gjovalin Marfana dhe Paqsor Loka, në kuadër të një nisme të Unionit Mirdita për evidentimin e monumenteve historike (fortifikime, objekte kulti etj). Vendbanimi në fjalë është evidentuar prej tyre në prill 2021, në kuadër të nismës së Unionit Mirdita, të ndihmuar edhe nga Agustin Gjini, banor i fshatit Rrasfik. Ky raport u përpilua duke u referuar në vëzhgimin e disa fragmenteve (qeramikë, tjegulla dhe amfora) dhe gjurmëve të vendbanimit që janë në sipërfaqen e terrenit.
Logo

About Us

We must explain to you how all seds this mistakens idea off denouncing pleasures and praising pain was born and I will give you a completed accounts off the system and

Get Consultation

Contact Us