Rrasa e Shkrume, Konaj

Vendgjetja e Rrasës së Shkrume ndodhet në lartësitë 930 m mbi nivelin e detit, në krahun e majtë të luginës së lumit Fani i Vogël, në jug të fshatit Konaj. Formacioni gjeologjik është i karakterizuar nga shkëmbinj të Titonianit të Sipërm dhe Valanzhinianit, i cili ka përgjithësisht përbërje konglobrekçe ofiolitike dhe ndërthurje mergeloro-ranoro-konglomeratike. Vendgjetja në fjalë duket të jetë e karakterizuar më shumë nga shkëmbinj në trajtë rrasore me përbërje ranore të çimentuar mirë.

Rrasa, e cila ndodhet në pozicionin e sajë parësor gjeologjik, është e ekspozuar në pjesën e saj jugore dhe ka një pjerrësi të lehtë me drejtim rënës në anën jugore. Pjesa e ekspozuar është më shumë se 3 m e gjatë, 1.76 m e gjerë dhe mesatarisht rreth 0.13 m e trashë. Ajo vazhdon në drejtim të veriut nën sedimente dhe shtresa të tjera gjeologjike, ndërsa në jug ndërpritet në mënyrë të menjëhershme në anë të shpatit. Rrasa paraqitet e fragmentuar në të paktën 13 copa të ndara si pasojë e faktorëve natyrorë, por së fundmi edhe prej ndërhyrjeve të njeriut.

Arti shkëmbor është i aplikuar vetëm në 2.65 m gjatësi të sipërfaqes së pjesës jugore të saj dhe në 1.26 m gjerësi. Duke u nisur nga disa vrojtime paraprake është ende e paqartë nëse dëmtime të shkaktuara nga dora e njeriut mund të kenë çuar në lëvizjen apo humbjen e përhershme të ndonjë fragmenti i cili mund të ketë përmbajtur art parahistorik. Sidoqoftë, ajo përmban rreth 30 figura të gdhendura me anë të rrahjes me një objekt më të fortë se vetë shkëmbi. Thellësia e aplikimit të figurave duket të jetë më e cekët në drejtim të jugut, duke e bërë më të vështirë leximin e tyre. Ky ndryshim mund ti kushtohet më shumë ekspozimit më intensiv ndaj faktorëve atmosferikë në pjesën jugore, por dhe mbulimit periodik në anën veriore nga sedimente të zhvendosura nga shpati i malit. Në gjendjen aktuale, pjesa veriore duket të jetë më e mbrojtur për arsye të pemëve të rritura, të cilat krijojnë një lloj strehe natyrore.

Në tërësinë e saj, rrasa duket të paraqesë një panel kryesor kompozimi në të cilin bëjnë pjesë shumica dërrmuese e figurave dhe një më të vogël në të cilën bëjnë pjesë vetëm dy figura. Paneli kryesor është i vendosur në pjesën jugore dhe figurat ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës, ndërsa paneli i vogël është i vendosur në pjesën veriore, i distancuar ndjeshëm nga ai jugor, por dhe të dyja figurat nga njëra-tjetra janë të distancuara. Është për tu vënë re fakti se, edhe pse copëzimi i sipërfaqes duhet të ketë krijuar mundësi që në të shkuarën të ndahej në disa panele, kjo nuk ka ndodhur. Madje mund të sugjerohet se rrasa ka qenë e copëzuar që në kohën kur disa nga figurat janë aplikuar. Kjo vërtetohet nga fakti se disa nga figurat në panelin kryesor kanë përdorur krisjet në sipërfaqen e rrasës si elementë të ravijëzimit të figurave individuale.

Pavarësisht vendosjes apo orientimit të tyre, të gjitha figurat e identifikuara duket të jenë antropomorfe. Ato mund të ndahen në katër tipe kryesorë, të cilët i kemi renditur më poshtë duke ndjekur si kriter shpeshtësinë e shfaqjes së tyre.

  1. Figurë antropomorfe e tipit kryq.
  2. Figurë antropomorfe e tipit ϕ ose të shkronjës greke fi.
  3. Figurë antropomorfe e tipit kryq, me hark në pjesën e sipërme, i cili lidh skajet e krahëve dhe kokën.
  4. Figurë antropomorfe me krahët të përthyer poshtë, këmbë të shkurtra të ndara në formë këndore dhe kokë në trajtë gropëze.

Në vazhdim, mund të themi me një farë sigurie se paraqitja e artit shkëmbor të Rrasës së Shkrume pranë fshatit Konaj përbën rastin më të pasur në krahinën e Mirditës, si për sa i përket numrit por dhe tipeve të figurave antropomorfe. Kjo paraqitje mund të konsiderohet gati e pashoqe edhe në rang vendi për sa i përket këtyre karakteristikave. Duhet thënë se tipet e figurave antropomorfe me krahët poshtë dhe figura e tipit ϕ e vendosin atë në raport të krahasueshëm me Shpellën e Shkruar në fshatin Lepenicë të Vlorës. Shpella e Shkruar e Lepenicës mbizotërohet nga figura me krahët e kthyer poshtë, kurse në rastin e Rrasës së Shkrume kemi vetëm një tillë. E kundërta ndodh me figurën antropomorfe të tipit ϕ, ku në Rrasën e Shkrume mund të dallojmë gjashtë të tilla e në Shpellën e Shkruar vetëm një. A është ky një tipar që mund të përdoret si tregues për ndryshime kronologjike apo thjesht një zgjedhje kulturore nga krijuesit e Rrasës së Shkrume? Sigurisht një pyetje e tillë mbetet për tu trajtuar në të ardhmen më mënyrë më të hollësishme. Më tej, mund të thuhet se figura antropomorfe e tipit kryq me hark në pjesën e sipërme e lidh atë me rastin e artit shkëmbor të Xhuxhës 1. Në territorin e Shqipërisë ky tip figure antropomorfe paraqitet deri më sot në mënyrë unike vetëm në këto dy vendgjetje të Mirditës. Në një farë mënyre, përtej zgjedhjeve që mund të lidhen me një periudhe kohore të caktuar, ato do të duhen të shihen edhe si zgjedhje që janë të një natyre më vendore ose lokale. Së fundmi, figurat antropomorfe të tipit kryq e lidhin Rrasën e Shkrume me Xhuxhën 1, Gjurin e Madh (Blinisht) dhe një numër vendgjetjesh të tjera nga vendi ynë.

Të gjitha këto trajta paraqitjesh njerëzore janë të njohura në repertorin e artit skematik mesdhetar të prehistorisë së vonë. Ato kanë një shtirje të madhe gjeografike, çka flet për marrëdhëniet e pandara të një rrjeti më të gjerë, pjesë e të cilit ishte edhe Mirdita. Nëse do niseshim thjesht nga një këndvështrim evolutiv, për sa i përket ndryshimeve të vëna re në raport me Shpellën e Shkruar të Lepenicës, Rrasa e Shkrume do të duhet të datohej në harkun kohor midis mesit të mijëvjeçarit të tretë dhe gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të dytë para erës sonë. Këto kufinj kronologjikë mund të sugjerohen nga fakti që, në njërin krah, Shpella e Shkruar është e datuar mirë nisur nga krahasimet me figurinat e periudhës së bronzit të hershëm, kurse në krahun tjetër, nga mungesa e figurave njerëzore me krahët e kthyer sipër, çfarë është një tipar i njohur kryesisht për bronzin e vonë dhe periudhën e hekurit. Në çdo rast këto interpretime mbeten shumë të përgjithshme, në mungesë të materialeve arkeologjike të lidhura drejtpërdrejt me Rrasën e Shkrume ose metodave të datimit absolut. Për më tepër, analiza e bashkëveprimit të figurave të këtij krijimi, tregon për disa orientime të tyre, madje në ndonjë rast mund të bëhet fjalë për mbivendosje të figurave. Këto të dhëna do të ishin sugjeruese për praninë e disa fazave të ndryshme kohore në realizimin e këtij krijimi, çka e bën edhe më të vështirë apo të ndërlikuar konsiderimin e tij si një të tërë, për sa i përket diskutimeve mbi datimin apo kronologjinë relative. Në çdo rast një diskutim i tillë shkon përtej përmasave të kësaj paraqitje dhe është rezervuar për një hulumtim më të hollësishëm në të ardhmen e afërme.

Rudenc Ruka 

Logo

About Us

We must explain to you how all seds this mistakens idea off denouncing pleasures and praising pain was born and I will give you a completed accounts off the system and

Get Consultation

Contact Us