Shpella në Buzë gjendet në krahun e djathtë të përroit Zalli i Mërkurthit, në shpatin e thepisur të Malit të Shenjtit, në lartësinë 1290 m mbi nivelin e detit ose rreth 300 m mbi fshatin Mërkurth (Mirditë). Masivi gëlqeror i këtij mali i përket formacioneve gjeologjike të Kretakut të poshtëm. Hyrja është e orientuar nga jugu dhe ka formën e një goje të hapur e cila zhvillohet menjëherë në një sallë të madhe. Nga hyrja në drejtim të brendësisë, dyshemeja e këtij ambienti pëson një ulje graduale. Nga qendra e sallës drejt paretit të saj të djathtë zgjatet një mur i thatë me lartësi rreth 50 cm. Arti shkëmbor i aplikuar në një masiv smërçi zhvillohet në dy panele të cilat ndodhen pas murit, rreth 15 m largësi nga hyrja, të cilat i kemi emëruar paneli 1, dhe ai më thellë paneli 2. Në lidhje me të dy panelet mund të vihet re një vëmendje e posaçme nga ana e krijuesve të artit shkëmbor. Kjo për arsye se panelet kanë kaluar një fazë paraprake përgatitjeje, duke e sheshuar dhe pastruar sipërfaqen e tyre nga shtresat e parregullta. Deri më sot, kjo fazë parapërgatitore nuk duket të jetë pikasur në territorin e Mirditës, por edhe më gjerë në vendin tonë.

Të dhënat paraprake të botuara nga një ekspedite speleologjike e kryer në territorin e Oroshit gjatë vitit 1993, identifikonin pranin e artit në këtë zonë. Nisur nga ky informacion, në vitin 2013 u organizua një vizitë studimore në këtë vendgjetje, e cila rezultoi në botimin e një artikulli në vitin 2014. Gjatë kësaj vizite u identifikuan dy panele si dhe 11 figura në total. Sidoqoftë, puna dokumentuese e kryer në kuadër të projektit aktual ka shtuar një numër detajesh me interes për plotësimin e kuadrit interpretues.

Paneli 1 mbështetet në një faqe e cila nuk është në kënd të drejtë me dyshemenë e shpellës. Ai përbëhet nga nëntë figura të cilat ndjekin një aks vertikal, në një sipërfaqe prej rreth 0,47 m², me gjatësi 1,09 m dhe gjerësi 0,43 m. Paneli duket të mbizotërohet nga dy kategori figurash sipas teknikës së aplikimit, ato që ndodhen kryesisht në pjesën e sipërme, të cilat janë të një natyre të qartë parahistorike, si dhe ato me incizime të holla, të cilat janë vendosur në pjesën e poshtme. Për t’u vënë re është fakti se figurat nuk përsëriten në formë por secila paraqet veçori. Kështu paneli përfshin pesë figura antropomorfe por të gjitha të trajtave të ndryshme. Ky lloj individualizmi duket të jetë tipar përcaktues për rastin në fjalë. E një rëndësie të veçantë është figura njerëzore e vendosur më lart në panel, e cila dallohet nga madhësia por edhe nga pozicioni i vendosjes në krye të panelit. Për më tepër, nisur nga analogjitë që ajo gjen në Italinë e veriut, në pjesën e kokës ka të vendosur një helmetë të skematizuar në formë gjysmëharku. Kjo figurë, si dhe figura në pjesën më të poshtme të panelit, me krahët e ngritur lart, duket ta datojnë këtë fazë të qartë parahistorike në periudhën e hekurit të zhvilluar ose pas shekullit 8-të para erës sonë. Për sa i përket figurave me incizime të holla ato mund të datohen në një periudhë historike. Përgjithësisht krijime të kësaj natyre në artin shkëmbor evropian janë lidhur më shumë me periudhën mesjetare. Gjithashtu, është për t’u vënë re dhe një fazë fare e vonë, e cila karakterizohet nga prania shkronjave kapitale të cilat duhen konsideruar moderne.

Paneli 2 me sipërfaqe 0,25 m2, gjatësi 0, 38 m dhe gjerësi 0,2 m nuk është evidentuar nga ekspedita speleologjike e vitit 1993. Ai është i orientuar në kënd 45° me dyshemenë e shpellës dhe figura më e poshtme e tij ndodhet në lartësinë 0,58 m nga dyshemeja aktuale e shpellës. Paneli përmban vetëm dy figura të cilat u dokumentuan në vitin 2013. Njëra paraqet një formë gjeometrike në trajtë këndore dhe tjetra një figurë njerëzore. Sidoqoftë, puna aktuale e bën të qartë trajtën e figurës njerëzore e cila ishte paraqitur në mënyrë hipotetike në pjesën e njërit prej krahëve. Kështu, njëri nga krahët është i kthyer poshtë, ndërsa krahu i kthyer lart mban në dorë një objekt, i cili po ashtu nuk ishte identifikuar më parë. Në artin shkëmbor të Italisë së veriut objekte të tilla janë interpretuar në mënyrë të shpeshtë si armë, ndërsa kompozime të tilla hasen më shpesh në periudhën e hekurit. 

Duke pasur parasysh se një konkluzion i ngjashëm ishte dhënë edhe në artikullin e vitit 2014, figura njerëzore e panelit 2 e bën edhe më të sigurt këtë përcaktim kronologjik. Prania e figurave të lidhura me armë në të dyja rastet e bënë artin shkëmbor të Shpellës në Buzë të jetë unik për të gjithë territorin e Shqipërisë. Me shumë mundësi kjo vendgjetje duhet të lidhet me periudhën e zhilluar të Hekurit dhe me shumë mundësi me paraqitje vizuale të luftëtarëve Ilirë.

Rudenc Ruka 

Logo

About Us

We must explain to you how all seds this mistakens idea off denouncing pleasures and praising pain was born and I will give you a completed accounts off the system and

Get Consultation

Contact Us