Vendgjetja e mirënjohur e Rubikut ndodhet rreth 800 m në jugperëndim të qytetit të Rubikut, në krahun e djathtë të luginës së lumit të Fanit. Ajo është e vendosur në shpatet e malit të Matrizës, në lartësitë 230 m mbi nivelin e detit. Formacioni gjeologjik është i karakterizuar nga shkëmbinj gëlqerorë të Triasikut të Sipërm dhe Jurasikut të Poshtëm. Arti është aplikuar përgjatë një faqe të valëzuar të një strehe shkëmbore, e cila në pjesën e poshtme ka përbërje të ndryshme gjeologjike. Pjesa e poshtme përbëhet nga sedimente të shkrifëta dhe për arsye të erozionit natyror mund të ketë pësuar ndryshime të mëdha që nga koha krijimit të artit shkëmbor. Pikërisht, në këtë pjesë fillon shtrati i një rrëkeje, e cila zhvillohet më tej në një përrua të vogël. Për sa i përket artit shkëmbor ai ruhet relativisht mirë për arsye të mbrojtjes së ofruar nga streha shkëmbore.

Për herë të parë kjo vendgjetje është identifikuar dhe botuar nga studiuesi Dhimitër Shuteriqi në vitin 1979. Ai e botoi këtë rast në mënyrë paraprake, bashkë me informacione të tjera të një natyre etnografike nga zona e Rubikut. Shuteriqi, riprodhoi vizatime të cilat lidheshin me gjashtë figura të përgatitura me bojë të bardhë. Për më tepër, ai e konsideroi këtë vepër të artit shkëmbor si të periudhës së Mesjetës, përkatësisht përgjatë hapësirës kohore të shekujve XII-XIII, duke e lidhur simbolikën e tij me luftën fetare midis kishës së lindjes dhe asaj perëndimore. Më pas, në vitin 2008, arkeologu shqiptar Muzafer Korkuti e përfshiu këtë rast në librin e tij gjithëpërfshirës mbi artin shkëmbor në Shqipëri, duke e verifikuar dhe dokumentuar nga e para vendgjetjen e Rubikut. Ky ridokumentim solli një saktësim më të madh të numrit të figurave, të cilat arritën në tetë, si dhe paraqiti formën e tyre në mënyrë më të qartë. Gjithashtu, ndryshe nga puna e Shuteriqit, i cili i riprodhoi figurat të shkëputura, në ridokumentimin e Korkutit figurat paraqiten në raport me njëra-tjetrën, duke i dhënë kështu një rëndësi më të madhe kompozimit dhe duke ofruar më shumë mundësi për interpretimin e tij. Bazuar në krahasimet me rastin e Shpellës së Shkruar të Lepenicës, Korkuti e ka datuar këtë vendgjetje në të njëjtën periudhë kohore me këtë fundit ose rreth Neolitit të vonë. Në vazhdim, kjo vendgjetje është dokumentuar edhe nga ana e artistit Shpend Bengu, i cili edhe e ka botuar në vitin 2013. Ai vërejti një sërë detajesh të reja, të cilat plotësonin më tej punën e studiuesve paraardhës. Gjithashtu, Bengu bëri të mundur futjen e Rubikut në listën e monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Një nga kontributet kryesore për sa i përket dokumentimit të kryer nga Bengu është identifikimi i një figure të gdhendur ose petroglifi, e cila në punimet e mëparshme paraqitej si e realizuar me anë të pikturimit. Ai saktësoi trajtën e saj, e cila në studimet e mëhershme jepej në formën e një kryqi me bazë të gjerë trekëndore dhe skajet në formë pikash. Në të vërtetë, ajo paraqiste një figurë njerëzore në trajtë kryqi, me gropëza në skajet e sipërm dhe me këmbë të shkurtra, të ndara në formë këndore. Pikërisht, nisur nga dokumentimet e mëhershme, kjo trajtë kryqi është konsideruar si element me rëndësi të veçantë në konfirmimin e datimit të Shuteriqit përgjatë mesjetës në një nga trajtimet më të fundit të këtij rasti në vitin 2014. Puna e kryer së fundmi në terren në kuadër të këtij projekti e konfirmon identifikimin e Bengut dhe për më tepër çon në nevojën për trajtim të mëtejshëm të kësaj vendgjetje. Figura të tilla njerëzore gjejnë krahasime të qarta me rastin e Blinishtit.

Në tërësinë e tij, rasti i Rubikut është i ndarë në dy panele të cilat përmbajnë të paktën tetë figura, shtatë nga të cilat të pikturuara me bojë të bardhë, ndërsa njëra është e gdhendur. Pikë së pari, prania e dy teknikave të ndryshme në aplikimin e artit shkëmbor, e bën të nevojshme konsiderimin e mundësisë së pranisë të dy fazave të veçanta në kronologjinë e këtij rasti. Për më tepër, forma e figurës së gdhendur, si dhe analogjitë e qarta të figurave të pikturuara me ato të artit skematik mesdhetar, konfirmojnë ngjashmëritë e vëna re me Shpellën e Shkruar të Lepenicës por dhe më gjerë. Si rrjedhim datimi në periudhën e neolitit të vonë apo eneolitit nuk duket të jetë i duhuri. Një sërë ngjasimesh me raste analoge janë sugjeruese më shumë për datimin e artit shkëmbor me pikturim në periudhën e bronzin të hershëm ose përgjithësisht përgjatë mijëvjeçarit të tretë para erës sonë. Nisur nga informacionet ndonjëherë edhe kundërthënëse midis autorëve të ndryshëm, apo dhe nivelit të dokumentimit, është qartë e dukshme nevoja për një punë të mëtejshme në lidhje me këtë rast. Sidoqoftë, studimet e kryera nga autorët e ndryshëm, kanë çuar në shtimin e informacionit, duke e tejkaluar njëri-tjetrin por edhe duke rrahur shtigje interpretimi të panjohura më parë. 

Puna dokumentuese në kuadër të këtij projekti sjell për herë të parë këtë vendgjetje me anë të paraqitjeve tredimensionale, duke synuar një perceptim më të mirë të bashkëveprimit të figurave por dhe të këtyre të fundit me relievin e strehës shkëmbore. Për arsye të aktivitet gërryes të ujit në sedimentet e shkrifta të cilat ndodhen në pjesën e poshtme të strehës, duket qartë se këndvështrimi dhe distanca e shikimit të artit në kohën e krijimit të tij, duhet të ketë qenë e ndryshme dhe më e afërt me figurat në krahasim me atë aktuale. Ulja e nivelit të terrenit në pjesën e poshtme të strehës, bënë që ky kompozim të shikohet në ditët tona nga shumë më poshtë e rrjedhimisht të perceptohet ndryshe nga periudha e krijimit. Në përfundim Rubiku përbën mbase rastin më të hulumtuar të artit shkëmbor në Shqipëri por i cili ende sot ka nevojë për një shqyrtim të ri të thelluar.

Rudenc Ruka 

Logo

About Us

We must explain to you how all seds this mistakens idea off denouncing pleasures and praising pain was born and I will give you a completed accounts off the system and

Get Consultation

Contact Us