Projekti “Tur nëpër Artin Shkëmbor në Mirditë” është një platformë vizuale (Website), ku është pasqyruar arti shkëmbor në Mirditë, vlerat historike dhe kulturore që ky art mbart. Në Mirditë, deri tani janë zbuluar disa vendgjetje të artit shkëmbor: Rubik, Mërkurth, Xhuxhë (2 vendgjetje), Blinisht dhe Konaj, çka e bën atë ndër krahinat më të pasura të vendit, por që i jep edhe një dimension të veçantë historisë dhe hershmërisë së banimit në këtë zonë e më gjërë. Me anë të kësaj platforme jemi përpjekur të japim një pamje gjithëpërfshirëse mbi vlerat e artit shkëmbor në krahinën e Mirditës. Hulumtimi i hollësishëm i çdo rasti ka bërë të mundur një interpretim më të sigurtë, për sa i përket përmbajtës, rrethanave të krijimit, teknikave të përdorura dhe krahasimeve, në mënyrë që të arrihet në përfundime të qenësishme. Për arritjen e interpretimit dhe paraqitjen e artit shkëmbor të krahinës së Mirditës u përdorën një sërë teknikash të tilla:

• Fotografimi me dron i terrenit ku ndodhen vendgjetjet e artit shkëmbor. Fotografimi i çdo paneli të artit shkëmbor dhe përpunimi i imazheve fotografike, të cilat bënë të mundur krijimi e modeleve 3D (tredimensionale). [Është bërë fotografim ajror me quadcopter me kamer 21mp dhe me një mbivendosje gjatësore dhe tërthore 60%. Ndërsa rilevimi i paneleve është bërë me fotografim tokësor (kamer 16 mp), shoqëruar me skaner lidar me mbivendosje gjatësore dhe tërthore 80-85%. Këto fotografi më pas janë përpunuar duke ndjekur një rrjedhe pune të tillë: Orientimi i brendshëm dhe i jashtëm i fotografive, gjenerimi i pikave të përbashkëta, gjenerimi i rese së pikave, gjenerimi i modelit 3D (mesh), gjenerimi modelit perfundimtare 3D me teksturë.]
• Dokumentimi, studimi dhe përpilimi i teksteve shoqëruese për platformën vizuale.
• Realizimi i një harte topografike, ku janë shënjuar vendgjetjet e artit shkëmbor dhe fortifikimet, çka do i bëje më të arritshme për vizitorët vendas e të huaj.

Arti shkëmbor i Mirditës paraqet një nga krahinat më të veçanta në Shqipëri, si për nga shumësia e vendgjetjeve por edhe nga larmia e informacionit të paraqitur. Në njërën anë, pothuajse, secili rast në vetvete është i veçantë për sa i përket karakterit të krijimit, ndërsa në anën tjetër, paraqet lidhje dhe ndikime të spikatura si brenda territorit të saj por edhe më gjerë me atë mesdhetar. Kështu duhet përmendur “Rubiku” i cili paraqet një rast të vetëm të artit shkëmbor me pikturim në këtë krahinë. “Rubiku” mund të konsiderohet edhe më i veçantë për praninë e gdhendjeve shkëmbore të cilat bashkëshoqërojnë figurat e pikturuara. I një rëndësie të veçantë mund të konsiderohet rasti i “Mërkurthit” i cili mund të paraqesë disa nga figurat më të vjetra të luftëtarëve Ilirë në këtë territor. Përgatitja sistematike e fushës së paneleve para aplikimit të artit flet për rendësinë që ai paraqiste për krijuesit e tij. Gjithashtu, “Konaj” mund të shquhet për numrin e lartë të figurave njerëzore dhe tipologjinë e tyre. Në vazhdim, “Xhuxha 2” për paraqitjet gati ekskluzive gjeometrike. Në anën tjetër pothuaj të gjitha rastet e artit shkëmbor nga Mirdita ekspozojnë marrëdhënie si me artin skematik mesdhetar por edhe atë të Italisë së Veriut. Është pikërisht pozita e saj gjeografike si dhe gërshetimi ndonjëherë i këtyre marrëdhënieve të shumëfishta, që ka çuar në këto krijime me identitet të veçantë por edhe praninë e Mirditës si pjesë e këtij rrjeti më të gjerë në parahistorinë e vonë. Këto dhe një numër arsyesh të tjera të cilat vihen në dukje në këtë platformë, do të duhet të bëjnë këdo që shfaq interes për të shkuarën e Mirditës por dhe më gjerë, krenar për këtë trashëgimi të vyer. 

Kërkimi i këtij dimensioni të shkëlqyer të trashëgimisë kulturore të Mirditës është vetëm fillimi i një pune më të gjatë, e cila do të përditësohet në vazhdim si në këtë platformë informuese por edhe në një numër artikujsh shkencorë të hollësishëm për publikun e gjerë dhe rrethet shkencore. Prezantimi i këtij aspekti të trashëgimisë së Mirditës, shpresojmë, të jetë një kontribut për renditjen e saj në të ardhmen në mënyrë të denjë krah simotrave të tjera evropiane. Letërnjoftimi i saj identitar do të ishte i paplotë pa paraqitjen dhe hulumtimin e këtyre vengjetjeve të artit shkëmbor disa mijëvjeçare.

Projekti “Tur nëpër Artin Shkëmbor  në Mirditë”, u realizua nga:

  • Julian Vlashi (studiues), drejtor i projektit.
  • Benard Lekgegaj (skulptor), koordinator i projektit.
  • Arianit Filopati (web designer; krijim i platformës vizuale)
  • Rudenc Ruka (arkeolog; dokumentim, interpretim dhe përgatitje të teksteve).
  • Shefqet Lulja (topograf, specialist i GIS-it; dokumentim, përgatitje e modeleve tredimensionale).
  • Blenard Dudi (specialist i GIS-it; përgatitje e hartës topografike).
  • Gjovalin Marfana (studiues).
  • Paqsor Loka (arkeolog).

Projekti “Tur nëpër Artin Shkëmbor  në Mirditë” është financuar nga Ministria e Kulturës, në kuadër të thirrjes për Projekt-Propozime 2021.  https://kultura.gov.al/

Logo

About Us

We must explain to you how all seds this mistakens idea off denouncing pleasures and praising pain was born and I will give you a completed accounts off the system and

Get Consultation

Contact Us