Guri i Xhuxhës, Xhuxha 1

Vendgjetja e Gurit të Xhuxhës, ashtu siç njihet tashmë gjerësisht, ndodhet në krahun e majtë të luginës së lumit Fani i Vogël, në jug të fshatit Xhuxhë. Ajo ndodhet në një kreshtë të vogël shkëmbore të shpatit verior të Malit të Zebës, në lartësinë mbidetare 1200 m. Formacioni gjeologjik është i karakterizuar nga shkëmbinj të Kretakut të Poshtëm, i cili ka përgjithësisht përbërje konglomeratesh në zonën e Mirditës. Vendgjetja në fjalë duket të jetë e karakterizuar më shumë nga shkëmbinj në trajtë rrasore me përbërje ranore e të çimentuar mirë.

Bazuar në thëniet e vendasve, kreshta shkëmbore është përdorur në mënyrë të vazhdueshme nga banorët për nxjerrjen e gurëve për qëllime ndërtimi. Nga përdorimi rishtazi i makinerive me qëllim aktivitetin në fjalë, u evidentua prania e një pllake shkëmbore me sipërfaqe jo të zakonshme. Figurat e punuara në sipërfaqen e saj ishin të vendosura në anën e mbështetur në terren, çka mund të shpjegojë se pllaka nuk është gjetur në pozicionin e saj parësor ose origjinal. Mund të supozohet se në kohën e realizimit të figurave, pllaka mund të ketë qenë e vendosur vertikalisht ose të ketë qenë pjesë e një strehe shkëmbore. Gjithsesi, gjurmët e likeneve që vihen re në faqen e saj të pasme dhe në anë (pra në faqen pa figura ose atë të ekspozuar në momentin e gjetjes), sugjerojnë se pllaka ka qenë për një kohë të gjatë e ekspozuar në sipërfaqen e terrenit në të njëjtin pozicion me atë të gjetjes. Kjo mbështetet dhe nga fakti se gdhendjet e figurave janë me konture të thikta dhe jo të zbehura nga agjentët atmosferikë, sikurse në rastet e tjerë nga Mirdita. Këta elementë mund të jetë sugjerues që pllaka mund të ketë qëndruar për një kohë relativisht të shkurtër në pozicionin e saj origjinal, ose që ajo ka qenë e orientuar në një mënyrë të tillë, që nuk ka lejuar dëmtimin saj sikurse në rastin e një strehe shkëmbore. Nëse rasti i parë është i vërtetë, atëherë kjo paraqitje e artit shkëmbor mund të përbëjë një rast të rrallë në të cilën mund të identifikohet një kohë relativisht e shkurtër e krijimit të saj, apo përfaqësimi i një fazë e vetme.

Pllaka shkëmbore ka natyrë granulore (shtufore), por të çimentuar mirë dhe me fortësi mesatare. Ajo ka formë të përgjithshme drejtkëndore me gjatësi 2,40 m, gjerësi 1.70 m, dhe trashësi 28 cm. Në anën e sipërfaqes në të cilën janë aplikuar gdhendjet shkëmbore, janë të pranishme një numër dëmtimesh të shkaktuara gjatë punimeve me mjete të mekanizuara për nxjerrjen e gurëve. Sidoqoftë, këto dëmtime nuk duken të kenë prekur pjesën e paraqitjeve të aplikuara në sipërfaqen e pllakës. Janë për tu përmendur edhe disa dëmtime të vjetra, të cilat vihen re në pjesën anësore dhe në periferinë e sipërfaqes ku është aplikuar arti. Këto pjesë janë të veshura me likene dhe kanë të njëjtën patinë si pjesa tjetër e ekspozuar e pllakës. Disa nga figurat ndodhen shumë pranë dëmtimeve të vjetra dhe rrjedhimisht është e paqartë nëse sipërfaqja e ruajtur përfshin të gjithë hapësirën origjinale të këtij kompozimi. Përveç dëmtimeve të sipërpërmendura, pllaka ka të pranishme të paktën dy krisje gjatësore me origjinë natyrore.

Paraqitjet e skematizuara të aplikuara në faqen e pllakës përbëhen nga rreth 20 figura që mund të ndahen në dy kategori kryesore: antropomorfe dhe abstrakte-gjeometrike.

Figurat antropomorfe paraqiten në disa tipe dhe variante:

  1. Figurë antropomorfe e tipit kryq, me hark në pjesën e sipërme i cili lidh krahët dhe kokën.
  2. Figurë antropomorfe e tipi ϕ.
  3. Figurë antropomorfe kryqiforme të brendashkruara në rrathë.
  4. Figurë antropomorfe kryqiforme e thjeshtë apo e dyfishtë.

Për tu shënuar është se bashkë me këto figura paraqiten edhe dy harqe të ndarë në mes të cilët janë plotësisht të ngjashëm me ato që përdoren tek figurat skematike njerëzore të tipit një. Pothuaj në të gjitha rastet, tek harqet e veçuar apo tek figurat njerëzore të tipit një është aplikuar nga një gropëz në të dyja ndarjet që formohen midis harkut dhe gjymtyrëve të sipërm. E njëjta dukuri mund të vihet re edhe tek dy ndarjet e harkut të sipërm tek figurat antropomorfe kryqiforme të brendashkruar në rreth. Gropëzat janë përdorur gjithashtu në disa raste në të dy anët e zgjatimit të kokës dhe më rrallë tek zgjatimi i këmbëve.

Për sa i përket figurave abstrakte dhe gjeometrike bie në sy një drejtkëndësh i ndarë në një rrjet drejtkëndëshash, si dhe figura të tjera të cilat nuk mund të kategorizohen lehtësisht.

Guri i Xhuxhës paraqet një amalgamë interesante figurash dhe elementësh, të cilat e vendosin në raporte krahasuese me vendgjetje të tjera. Në vija të përgjithshme, përveç figurave antropomorfe kryqiforme të brendashkruara në rrathë, të gjitha figurat e tjera njerëzore gjejnë analogji të qarta tek arti figurativ nga Rrasa e Shkrume, në Konaj. Po ashtu, elementi i harkut me gropëza është i paraqitur në mënyrë pothuaj identike në Rubik. Ndërsa elementë të tjerë si, figura gjeometrike drejtkëndore apo zbukurimi me gropëza në pjesë të ndryshme të trupit, paraqiten shumë të ngjashëm me ato të Shpellën së Shkruar, në Lepenicë të Vlorës. Kjo larmi figurash dhe elementësh të ngjashëm me raste të tjera të artit shkëmbor në Shqipëri, por dhe më gjerë në artin skematik mesdhetar, na jep mundësinë ta datojmë Gurin e Xhuxhës përgjithësisht në periudhën e bronzit, ose në harkun kohor midis fundit të mijëvjeçarit të katërt dhe fundit të mijëvjeçarit të dytë para erës sonë.

Rudenc Ruka 

Logo

About Us

We must explain to you how all seds this mistakens idea off denouncing pleasures and praising pain was born and I will give you a completed accounts off the system and

Get Consultation

Contact Us